Bizhdili në polici, goditi me tavëll duhani arbitrin
Posted by ~~super~~special~~summer~~ on Saturday, November 13, 2010
LAC- Presidenti i Besës Nexhat Bizhdili ka goditur me një tavëll duhani arbitrin kryesor të ndeshjes Laçi-Besa Emirjon Sino.
Takimi i zhvilluar të premten në fushën e Laçit ka përfunduar me fitoren 1-0 të vendasve, falë një goli të realizuar nga Shazivari në minutat shtesë. Kreu i klubit kavajas është nervozuar tej mase me gjyqtarin dhe i ka lëshuar një tavëll, e cilas sipas Federatës, e ka dëmtuar lehtë arbitrin Sino në pjesën poshtë syrit.
Ndërkohë, Bizhdili mësohet se ka nxjerrë edhe një armë, por një gjë e tillë është mohuar nga policia. Kjo e fundit, në dy deklarata kontradiktore të saj, shkruan se presidenti i Besës ka përdorur celular, ndërsa më pas e korrigjon duke thënë se ka qenë tavëll duhani. Por, pavarësisht kësaj, forcat e rendit e kanë shoqëruar në rajon presidentin e Besës, i cili më pas në mënyrë të habitshme është lënë i lirë.
Pretendimet e Bizhdilit kanë qenë për arbitrimin e bërë nga gjyqtari Sino në Laç, por sidomos për minutat e shumta shtesë të dhëna prej tij. Tre sezone më parë, Bizhdili goditi me këpucë gjyqtarin Bardhyl Pashaj në përfundim të ndeshjes Besa-Kastrioti.