
SEUL- Një përgjegjës koreanojugor ka marrë kritika të ashpra nga politikanët dhe është ironizuar në lidhje me disa termuse të gjetura në ishullin e bombarduar nga Koreja e Veriut duke i paraqitur ato si predha, njofton AFP. Ahn Sang-Soo, presidenti i partisë konservatore në pushtet, Partia e Madhe Kombëtare (GNP), tregoi para kamerave dy objekte të gjetura në një shtëpi të bombarduar në ishullin Yonpyeong.
Në këto imazhe Ahn konfirmonte se ''këto objekte janë predha'', por një nga kamerat kishte fokusuar një etiketë në të cilën dukej qartë se bëhej fjalë për një termus dhe jo një predhë siç pretendonte ai.
Ahn është që prej asaj kohe objekt kritikash nga të gjithë në lidhje me injorancën e tij ushtarake. Për t'u mbrojtur Ahn deklaroi se objekti i ishte dhënë nga dikush që i tha se bëhej fjalë për një predhë, por as justifikimet nuk e shpëtuan nga kritikat.